Tirana konfirmohet si pretendentja kryesore për titullin kampion, pasi bën të sajën derbin ndaj Dinamos dhe thellon distancën nga ndjekësit në renditjen e kampionatit. Bardheblutë hedhin pas krahëve humbjen në Kupën e Shqipërisë, sërish ndaj Dinamos dhe ofrojnë hakmarrjen më të mirë, duke fituar pastër 4-0 dhe duke nisur shkëputjen.
Në një atmosferë mjaft të mirë në “Air Albania”, bardheblutë bënë ndeshjen e tyre karakteristike, duke u mbrojtur me kujdes dhe kundërsulmuar shpejt, teksa pikërisht nga një rast i tillë, gjetën avantazhin në minutën e 45-të.
Edhe pjesa e dytë pati të njëjtin ritëm, me të besuarit e Shehit, që kapën në dy kundërsulme mbrojtjen dinamovite dhe shënuan dy herë të tjera me Xhixhën, duke vulosur fitoren që i ngjit në kuotën e 20 pikëve, 6 më tepër se Kukësi i vendit të dytë.
Tirana-Dinamo 4-0 Sidibe (Autogol) 45′, Xhixha 56′, 61′, Hoti 82'.