Katari po shkakton polemika në të gjithë Evropën e futbollit. Fakti që vendi aziatik, i akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, pret Kupën e Botës po ngre probleme dhe përplasje mes tifozëve dhe klubeve.
Bayern Munchen po vuan këtë pjesë pasi këtë fundjavë, pavarësisht se mundën 2-1 Freiburgun e vendin e tretë, dhe lanë Dortmundin në vendin e dytë, me 4 pikë prapa, tifozët treguan pakënaqësinë e tyre ndaj bordit.
Ata nxorën një pankartë ku shkruhej "Për para ne lajmë gjithçka", shoqëruar me një dizajn në të cilin shihet një lavatriçe tërësisht e gjakosur, çantat me para dhe presidenti Herbert Hainer duke mbajtur një këmishë me gjak.
Përveç kësaj, Kahn, president i Bordit të Drejtorëve të klubit, shfaqet duke mbajtur rrobat e një sheiku arab dhe një çantë ku shkruhet "Mund të na besoni".
Reagimi nga tifozët vjen për shkak të marrëveshjes së sponsorizimit të klubit bavarez me Qatar Airways, e cila përfundon në vitin 2023 dhe që mbush me 17 milionë euro në vit arkën.
Kompania nga Katari ka ofruar tashmë një rinovim për pesë vjet të tjera, sipas Bild, që do të thoshte, të ardhura shtesë prej 85 milionë eurosh në arkat e Bayernit.
Dilemat tani janë të mëdha, nëse klubi i dorëzohet presionit të 'sovranit', i cili po bën presion që skuadra e tij t'i japë fund marrëdhënies kontraktuale dhe të humbasë miliona, apo t’i injorojë dhe të rrisë të ardhurat e Bayernit.