Ka dritë në fund të tunelit për Sergio Ramos. Pas shumë javësh pritje, mbrojtësi ka nisur stërvitjen me grupin dhe shumë shpejt pritet që të zbresë në fushë me kryesuesit e Ligue 1. Ish-kapiteni i Real Madrid ka pasur probleme të ndryshme fizike, që e kanë lënë larg fushave të lojës që nga transferimi tek PSG, por pritja duket se ka përfunduar. 35-vjeçari tashmë është rikuperuar plotësisht dhe i mbetet vetëm të arrijë formën e tij për të dhënë kontributin për parizienët.
Në seancën e së martës, Ramos ishte në fushë bashkë me një grup të reduktuar lojtarësh, pasi pjesa më e madhe janë bashkuar me skuadrat përfaqësuese.
Ramos ka humbur 14 ndeshje që nga fillimi i sezonit mes kampiantit, Kupës dhe Champions League, aq sa në Francë nisën aludimet se mbrojtësi mund të largohej nga PSG pa debutuar, por tashmë diçka e tillë bie poshtë, me Ramos, i cili mund të ketë minuta që në ndeshjet e radhës të PSG.
PSG do të ndeshet me Nantes në datën 20, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Manchesterit, ku do të luajë sfidën e Champions me City-n, ndërsa më pas do të masë forcat me Saint Ettiene. Topi është në anën e Pochettinos, i cili do të vlerësojë formën e Ramos, për të përcaktuar dhe debutimin e shumëpritur të spanjollit.