Ndeshja e sotme mes Gjermanisë dhe Lihtenshtejnit ka dhuruar disa skena paniku që në minutat e parë të duelit, pas një faulli shumë të rëndë të Hofer ndaj Goretzka.
Në minutën e 9 të ndeshjes, pas një harkimi në zonë, Hofer ngriti këmbën për të goditur topin, por në fakt goditi në kokë në mënyrë të dhunshme Leon Goretzkën. Edhe vetë futbollisti i Lihtenshtejnit e kuptoi çfarë gjëje të rëndë kishte bërë teksa duke rënë u mundua të mbante lojtarin kundërshtar.
Futbollistët e të dy skuadrave dhe gjyqtarja kroate Ivana Martinçiç, i bënë me shenjë menjëherë mjekëve të skuadrës gjermane që të ndihmonin futbollistin e shtrirë në tokë mes dhimbjeve pas asaj goditje të rëndë.
Për fat të mirë, nuk kishte pasoja për Goretzkën, i cili pas disa minutash trajtim, u kthye në fushën e lojës duke qenë më vonë edhe protagonist i një asisti.
Ndërsa Hofer u drejtua nga dhomat e zhveshjeve, pasi gjyqtarja i tregoi atij me të drejtë kartonin e kuq edhe pse ishin minutat e parë të ndeshjes.