Artan Iljazi është 22 vjec. Portieri kumanovar i FC Shkupi dje (11 nëntor 2021) ka përjetuar emocionet e ndeshjes miqësore në stadiumin “Vodafon Park” në Stamboll të Turqisë kundër Beshiktashit.
Në një intervistë për gazetarin Reshat Ibraimi, ai rrëfen eksperiencën e tij të re se si është të luash ndaj një gjiganti të madh sic është Beshiktashi.
Lideri i ligës tonë, FC Shkupi, e humbi miqësoren me rezultat 3:0. Iljazi hyri në lojë në pjesën e dytë dhe pranoi një gol.
“Kjo ndeshje miqësore do të mbetet një moment i vecant në karrierën time, sepse normalisht që ne kemi dëshiruar të zhvillojmë një ndeshje kundër një klubi sic është Beshiktashi. Falënderoj drejtuesit e klubit që na mundësuan një ndeshje të tillë në një stadium të mrekullueshëm”.
“Ndjenja të luash ndaj Beshiktashit në stadiumin “Vodafon Park” ishte shumë e madhe, pasi cdo futbollist ëndërron të luajt kundër një klubi të madh. Ishte një ndjenjë e papërshkruar. Në lojë hyra i qetë për të dëshmuar kualitet e mija. Beshiktashi ka një ekip të shkëlqyeshëm dhe na fituan me meritë”.
“Po normal, pritja nga ana e tyre ishte në nivel shumë të lartë. Kushtet ishin dicka që në vendin tonë nuk janë. Edhe dhomat e zhveshjes ishin krejt ndryshe”.
“Normal se vërehej dallimi mes nesh dhe atyre, por jo edhe aq shumë i madh. Kuptohet ata kanë lojtarë që luajnë në klube të mëdha”.
FC Shkupi është kthyer në Shkup, ku do të vazhdojë përgatitjet për vazhdimin e sezonit vjeshtor.