Ditën e djeshmë është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare, Ylli Tare, i cili fatkeqësisht nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin.
Tare është një emër i njohur i sportit shqiptar, teksa ka punuar si drejtor i Qendrës së Ekipeve Kombëtare dhe si drejtor i Stadiumit Kombëtar.
Gazetari Defrim Methasani ka bërë një dedikim prekës, për humbjen e “yllit të vërtetë në shpirt”.
“Eh ky Covid i mallkuar. Po na merr miqtë dhe njerëzit tanë të dashur.
U shua në moshën 78 vjeçare një burrë i nderuar, që jo vetëm kishte emrin Yll, por ishte vërtet yll edhe në shpirt. U prehsh në paqë miku im Ylli Tare, ish drejtori i suksesshëm i stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" në jo pak vite dhe një nga kuadrot e nderuar në kryeqytet. Me sjelljen tënde na bëre për vete, jo vetëm mua, por gjithë armatën e gazetarëve sportivë. Do të kujtoj sa të kem frymën, sepse ti flet edhe me heshtjen tënde o lum miku...!”, shkruan gazetari.
Ministria e Shëndetësisë raportoi se dje humbën jetën 5 persona, duke e çuar në 2 983 numrin total të viktimave që nga fillimi i pandemisë.