Klaus Gjasula ka hequr helmetën e tij karakteristike në këtë edicion, por kjo nuk ka ndryshuar paraqitjet e tij në fushën e lojës e për më tepër rregullsinë e pabesueshme me të cilën ndëshkohet me kartonë të verdhë. Jo vetëm me klubin e tij, por edhe me përfaqësuesen shqiptare.
Mesfushori kuqezi, do të humbasë ndeshjen e fundit në grup ndaj Andorrës, pasi u ndëshkua me të verdhë ndaj Anglisë, duke vendosur një rekord të paarritshëm ndoshta për këdo tjetër me fanellën kuqezi.
Ai ka luajtur 6 nga 9 ndeshjet e deritanishme të kuqezinjve dhe në të 6 këto sfida, është ndëshkuar me karton të verdhë.
Kështu ai kryeson listën e lojtarëve që kanë marrë më shumë kartonë të verdhë në këto eliminatore të Botërorit, edhe pse duhet theksuar se është i 23-ti në klasifikim për sa u përket faulleve të kryer, vetëm 14 të tillë.
Një mesatare e jashtëzakonshme ndëshkimi për lojtarin e përfaqësueses shqiptare, i cili në fakt është ndëshkuar me të verdhë në 7 ndeshjet ë fundit në të cilat ka zbritur në fushë.
Në total, Gjasula ka parë kartonin e verdhë në 10 nga 15 ndeshjet që ka luajtur me përfaqësuesen shqiptare, duke bërë mesataren e tij prej 0,66 kartonësh të verdhë për ndeshje, një ndër më të lartat në botë sa u përket ekipeve kombëtare.