Italia para sfidës finale

Futboll

Italia para sfidës finale

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 14:39
Arrigo Sacchi

Arrigo Sacchi ka folur për momentin që po kalon kombëtarja italiane. Ish-trajneri i njohur u ndal te barazimi 1-1 me Zvicrën në prononcimin e dhënë për GDS, teksa shpjegon formën dhe stilin e lojës së kampionëve të Europës, të cilët rrezikojnë kualifikimin në Katar 2022 si kokë grupi.

“Ndoshta kombëtarja na mësoi shumë mire me futbollin e saj, por djemtë e Mancinit u futën të tensionuar në përballjen me Zvicrën. Shpresojmë që Italia të mos ketë rënë në grackën e suksesit.

Në përgjithësi, skuadrat italiane kanë dhënë më të mirën kur kanë qenë në vështirësi apo kanë pasur frikë kundërshtarin.

Kombëtarja tradhtoi idetë e Mancinit, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë u vu re njëfarë dominimi, por rastet e rrezikshme për gol munguan.

Futjet në fushë të Tonalit dhe Berardit ishin të rëndësishme, me këtë të fundit që ishte ndoshta i vetmi sulmues që shqetësoi mbrojtjen zvicerane”.

Në fund një koment në lidhje me sfidën e fundit të grupit C kundër Irlandës së Veriut në Belfast (15 nëntor, 20:45), aty ku fitorja është alternativa e vetme.

“Nuk do të jetë aspak e thjeshtë kundër Irlandës së Veriut, por Mancini i ka dhënë kombëtares një stil loje që rrallë e kemi parë në futbollin tonë”, përfundoi ish-trajneri i famshëm i Milanit dhe kombëtares së kaltër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat