Tregu i fundit i transferimeve rezultoi me ardhjen e emrave të mëdhenj në skuadrën e Manchester United.
Transferimi i Cristiano Ronaldo-s, Jadon Sancho-s dhe Raphael Varane-it nënkuptoi një rëndesë ekonomike në llogaritë e Djajve të Kuq, të cilët panë listën e pagave të tyre të rritur me rreth 23 për qind në tremujorin e fundit, duke arritur në 105 milionë euro, shkruan GazetaBlic Sport. Po ashtu, skuadra e Manchesterit gjithashtu rriti të ardhurat e saj me rreth 16.1 për qind, tani të përcaktuara në rreth 150 milionë euro.
Kjo rritje shpjegohet me rikthimin e publikut në stadiume, duke arritur në total 22.4 milionë euro.
Ardhja e Ronaldos në United pati ndikim edhe në nivelin komercial të klubit, i cili arriti të rrisë shitjen e produkteve të tij me rreth 7.9 për qind, duke arritur në 76.7 milionë euro.
Megjithatë, borxhi i United mbetet praktikisht i njëjtë me rezultatet e vitit të kaluar, në rreth 523 milionë euro.
Me këto rezultate financiare, nënpresidenti i Djajve të Kuq, Ed Woodward, supozon se pandemia nuk ndihmoi në përshpejtimin e rimëkëmbjes financiare, por garanton që prioriteti i klubit të vazhdojë të kalojë përmes suksesit sportiv.
“Lojtarët, trajneri dhe të gjithë në klub janë të fokusuar në qëllimin për të siguruar sukses në fushë”, tha ai.