Pas pushimit për shkak të angazhimeve të kombëtareve, Milani i Stefano Piolit rikthehet nesër në fushë, ndaj Fiorentinës, me dëshirën për ta ruajtur vendin e parë në renditje, i çiftuar me Napolin. Trajneri kuqezi e kornizoi kështu ndeshjen në Firence, në konferencën për shtyp: “Duhet kujdes me skuadrat që duket se janë në vështirësi.
Na ndodhi edhe neve dhe gjetëm më shumë energji e vendosmëri, pavarësisht mungesave. Fiorentina ka një identitet të fortë, e di gjithmonë mirë çfarë duhet të bëjë. Nesër na pret një kundërshtar shumë i vështirë”.
I ngacmuar për Vlahovic, Pioli nuk e fsheh vlerësimin e tij për sulmuesin e ri të Fiorentinës: “Ai është rritur shumë, e kam stërvitur dhe e njoh potencialin që ka. Vlahovic është një sulmues shumë i fortë”.
Milani, gjithashtu po lufton me disa mungesa: “Skuadra është mirë. Më vjen keq për Calabria, i cili do të mungojë për disa ndeshje. Rebiç ishte shumë mirë, në stërvitjen e sotme, pas një goditjeje me thembër, ndjeu dhimbje. Nuk do të jetë në ndeshjen e nesërme. Nga kombëtaret, përveç Calabria, lojtarët tanë janë rikthyer mirë. Leao? Ai luajti pak me Portugalinë, i kurseu bateritë. E pashë shumë mirë si dje dhe sot, është gati të japë kontributin e tij”.
Më pas, trajneri i Milanit përpiqet të shpjegojë kriteret me të cilat zgjedh sulmuesin, mes Giroud dhe Ibrahimovic: “Vlerësimi i parë është gjendja, kush luan më mirë. Pastaj, sigurisht që zgjedh edhe në bazë të kundërshtarëve, gjë që e bëj për çdo pozicion. Deri dje kisha dy lojtarë për pozicion, mund të mbyllja sytë dhe të zgjidhja, por më pas Rebic ndaloi. Në mbrojtje, Kalulu dhe Florenzi tani luajnë për njëri-tjetrin”.