Chelsea luan një transfertë të vështirë ditën e nesërme. Kampionët e Europës do sfidojnë Leicester City (13:30), përballje që duhet fituar për të vijuar kryesimin në Premier League.
Trajneri i “Bluve të Londrës”, Thomas Tuchel është ndalur te Jorginho në konferencën për shtypin. Mesfushori italian dështoi nga pika e penalltisë në dy takimet e Italisë ndaj Zvicrës, gafa për të cilat ka marrë kritika të shumta.
Trajneri gjerman i ka dalë në mbrojtje mesfushorit italo-brazilian, duke theksuar se ka besim maksimal te kualiteti dhe cilësitë e 29-vjeçarit. “Besoj plotësisht te personaliteti dhe karakteri i Jorginhos.
Gjëja më e rëndësishme për mua është që lojtari të ndihet i sigurt te vetja kur të bashkohet përsëri me ne. Ai e di mirë që të gjithë e mbështesim, pavarësisht se çfarë ndodh. Jorginho është lojtar i yni dhe është plotësisht i mbrojtur e i vlerësuar.
Jemi super të kënaqur që është rikthyer në ekip. Ai nuk është lojtari i parë që humbet një penallti të rëndësishme dhe nuk do të jetë i fundit, kjo është e sigurt. Ndodhin gjëra të tillë në futboll dhe në jetë”, deklaroi Tuchel.