Jurgen Bardhi vazhdon të shkëlqejë në kategorinë e dytë turke, në atë që është sezoni i tij i parë në futbollin jashtë vendit tonë. Ish-mesfushori i Partizanit ka shënuar sot përsëri në kampionat, pas golit që shënoi edhe një javë më parë me fanellën e Tuzlaspor.
Në ndeshjen e sotme ndaj Gençlerbirligi, Bardhi ishte si zakonisht titullar i pozicionuar në mesfushën e skuadrës së tij që kërkon pikë për t’iu bashkuar grupit të skuadrave që luftojnë për ngjitjen në elitë në edicionin e ardhshëm.
Në minutën e 38, ai përfitoi nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes dhe pasi iu shmang pozicionit jashtë loje, u nis drejt portës dhe shënoi në shtyllën e parë, duke i dhënë avantazhin e përkohshëm skuadrës së tij.
Ky ishte goli i tretë në këtë kampionat për Bardhin, i cili që në vitin e debutimit të tij te Tuzlaspor, është kthyer në një nga elementët më të rëndësishme të kësaj skuadre.