Ndeshja e ndërprerë mes Lyonit dhe Marsielle në Ligue 1, për shkak se një tifoz e kishte goditur Dimitry Payet me shishe uji në kokë, nuk do të rifillojë fare.
Pas më shumë së një ore ndërprerje të dielën në Stadiumin Groupama zyrtarët e ndeshjen njoftuan se takimi do të rifillonte, megjithatë gjyqtari e ndërroi mendjen dhe vendosi për anulimin e përhershëm të takimit.
“Gjyqtari vendosi të mos e rifillojë ndeshjen duke e parë se siguria e lojtarëve nuk ishte garantuar”, njoftoi spikeri i stadiumit.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 7-të, kur gjyqtari vendosi t’i kthente lojtarët e të dy ekipeve në zhveshtore.
Payet u godit në kokë me një shishe të mbushur plot ujë nga një tifoz kur shkoi për ta rivënë topin në lojë nga goditja e këndit në minutën e 5-të.
Atij iu nevojit trajtimi mjekësor në fushë para se të largohej drejt zhveshtores pas shokëve të tij.
Pas më shumë se një orë ndërprerjeje, spikeri i stadiumit njoftoi se takimi do të rifillonte pas pak.
Lojtarët e Lyonit u kthyen në fushë dhe rifilluan të ngrohen për rinisjen e takimit, por jo edhe ata të Marseille që ngelën brenda zhveshtores.
Dhe pas gati dy orësh ndërprerjeje, gjyqtari ndërroi mendjen dhe vendosi ta anulojë përfundimisht takimin.
Kjo nuk është hera e parë këtë sezon që tifozët në Ligue 1 bëjnë veprime të tilla të dënueshme.