Felix Afena-Gyan iu bashkua akademisë së të rinjve të Romës vetëm në janarin e këtij viti, por zbulimi i 18-vjeçarit nga Jose Mourinho është lajmi kryesor pas dy-golëshit të tij kundër Genoas të dielën.
Sulmuesi u inkuadrua në lojë nga pankina në stadiumin “Marassi” me rezultatin që ishte ende 0-0 dhe shënoi të dy golat për t'i dhënë “Giallorossëve” një fitore shumë të rëndësishme.
Për Gyan kjo ishte vetëm paraqitja e tretë në Serie A, pasi kishte hyrë si zëvendësues kundër Cagliarit më 27 tetor dhe Milanit më 31 tetor.
Felix tashmë ka lënë gjurmë me ekipin e të rinjve të Roma këtë sezon, duke shënuar gjashtë herë në vetëm pesë ndeshje.
I lindur në janar të vitit 2003 në Sunyani, ai luante futboll me nxënësit e shkollës së tij në Gana deri në janar të vitit 2021, kur u mor nga Roma nëpërmjet EurAfrica FC Academy.
Morgan De Sanctis ishte çelësi i lëvizjes së Felix në Itali, pasi ai ishte aq i impresionuar gjatë një misioni për zbulimin e talentëve saqë i ofroi një kontratë të menjëhershme deri në vitin 2023.
Brenda disa muajsh punë në Itali, ai zhvilloi disa seanca stërvitore dhe u ftua në skuadrën e parë nën drejtimin e trajnerit Paulo Fonseca, edhe pse duhej të priste ardhjen e Mourinhos që të bënte debutimin e tij.