Gjiroja e 15-të në Superligë do e sjellë “Derbin e Anomaravës” që pritet të jetë edhe më i “zjarrtë” se në të kaluarën.
Në prag të kësaj ndeshje që zhvillohet të mërkuren me fillim nga ora 15:00, kapiteni i Dritës, Ard Limani ka thënë se do tentojë t’i marrin pikët e plota.
Limani ka thënë se kjo ndeshje është shumë më e vlefshme se tre pikë.
“Inatet janë shtuar nga derbi i kaluar pasi që kemi humbur. Ne gjithqysh do të tentojmë ta rikthejmë fitoren, sepse përveç që i merr tri pika është edhe çështje krenarie në qytet. Në derbin e kaluar në momentin tona më të mira erdhi në shprehje mjeshtëria e Prognit, i cili realizoi nga gjuajtja e lirë.
Në përballjen e së mërkures do të tentojmë që mos të shkaktojmë faulla të tillë sepse rreziku kryesor i Gjilanit vjen nga ndërprerjet, por ne kemi shumë ‘armë’ të cilat do t’i shfrytëzojmë ndaj tyre’, tha numri pesë i “intelektualëve”.
Në këtë takim, favorit në letër është Gjilani për shkak të renditjes tabelare.
Skuadra e udhëhequr nga Ismet Munishi gjendet në vendin e parë në Superligë, me 25 piktë të grumbulluara, pas 14 ndeshjeve të zhvilluara.
Kurse, Drita është një pozitë më poshtë, me pikë të njëjta, por me golaverazh më të dobët.