Braziliani Marcelo është një nga ikonat e Real Madrid, teksa për më shumë se një dekadë ka arritur që të fitojë gjithçka me galaktikët, por duket se vera e vitit të ardhshëm është dhe fundi i aventurës së tij si pjesë e “Los Blancos”.
Mbrojtësi e ka humbur shkëlqimin e tij dhe tashmë e sheh veten si një alternativë të tretë në skuadrën e Carlo Ancelottit. Drejtuesit e Real Madrid nuk e kanë më në planet e tyre dhe presin të përfundojë kontrata, për të shtrënguar duart me brazilianin, i cili duket se duhet të kërkojë një destinacion të ri. Galaktikët duan të rinovojnë me Modriç i cili është 36 vjeç, me Benzema, por jo me Marcelo, i cili nuk është më nivelin e tij të mëparshëm dhe paga e tij e lartë është jo pak problem.
Duke qenë se bëhet fjalë për një lojtar që i ka dhënë shumë klubit, drejtuesit nuk duan që të bëjnë polemika dhe presin përfundimin e kontratës për ta lënë të lirë, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që lojtari të largohet që në janar, duke parë që nuk po aktivizohet. Një shumë simbolike do të ishte e mjaftueshme për Real Madrid, por gjithçka duket se është në dorë të lojtarit.
Karriera e Marcelos është e lidhur ngushtë me Real Madrid, teksa që nga sezoni 2006-2007 numëron 15 sezone e gjysmë, duke fituar 4 Champions League dhe 5 tituj kampion në Spanjë. 33-vjeçari numëron 532 ndeshje me fanellën e galaktikëve, duke u bërë kështu lojtari i dytë jospanjoll me më shumë ndeshje, pas Karim Benzema.
Për shërbimet e Marcelos interes ka shfaqur Botafogo dhe një rikthim në Brazil ndoshta do ishte vendimi i duhur për 33-vjeçarin, i cili tashmë po mendon lëvizjet e fundit në futbollin e luajtur.