Shpëtim Duro ka analizuar si zakonisht në përfundim të ndeshjeve të Superiores, javën që sapo u mbyll e që këtë radhë përkoi me mbylljen e fazës së parë të kampionatit. Në studion e “Sport News”, ai analizoi fillimisht kryendeshjen që rihapi kampionatin, atë mes Kukësit dhe Tiranës, si dhe atë që ka spikatur në këtë pjesë të parë të edicionit.
“Dje ishte një pjesë e parë e mirë e Tiranës, shumë kompakte, u tregua naive pas barazimit se edhe ai do ishte një rezultat shumë pozitiv për bardheblutë. Do ishte e pamposhtur dhe do mbante diferencën me Kukësin.
Për Tiranën është fat që është në kampionat në vend të parë, por Kupa për skuadrat që pretendojnë, eliminimi nuk është pozitiv, se kanë dalë nga një aktivitet. Nëse i rrëshqet këmba edhe në kampionat, fillojnë problemet. Pozitiv ishte reagimi i Kukësit, por vazhdon Tirana, pas eliminimit pëson edhe humbjen e parë. Por Tirana e ka skuadrën që të reagojë përsëri.
Nëse do të diskutojmë për ndeshjen e djeshme, është një ndeshje që pjesën e parë Tirana e interpretoi jashtëzakonisht mirë. Kukësi ishte i kujdesshëm në pjesën e dytë. Goli i shpejtë i prishi pak ekuilibrat e lojës, ishte fat për Kukësin që shënoi se Tirana nuk po qëndronte në situata kompakte, filloi hapësira. Kukësi është skuadër e rrezikshme nëse kundërshtari lë hapësira se ka lojtarë të shpejtë.
Tirana pas barazimit, me ato situata gaboi, u tregua pak naive se duhej të qëndronte në ato situata dhe të priste, të mos hynte në aventurë. Hapësirat janë krijuar shumë në pjesën e dytë, sidomos në krahë të Tiranës. Linja e majtë nuk ka mbuluar mirë dhe ndoshta është për t’u çuditur që është Peposhi ai i cili u aktivizua në pjesën e dytë dhe ishte protagonist i golit të parë. Pastaj kishte një aksion për të shënuar golin e dytë duke dalë nga thellësia e mbrojtjes, edhe goli i dytë i Kukësit ishte inkursion në të djathtë i këtij futbollisti, krijoi korridor në të djathtë.
Të gjithë treguesit për këto 9 ndeshje janë për Tiranën, ka pikë, gola më shumë, ka pësuar më pak. Treguesit janë të padiskutueshëm për të, por ajo që shoh është se Tirana nuk është agresive në fazën ofensive, por është shumë më e ekuilibruar se sezonet e kaluara. Kjo është skuadër e lidhur dhe kompake, në pjesën e dytë krijoi hapësira dhe rrezikoi e pësoi. Por të gjithë shifrat flasin për të.
Merkato? Te Tirana filluan ta përmendin Çelhakën në fillim kur kishin probleme, kur filluan fitoret e harruan. Duket se është mjet për të dalë nga situata. Në janar edhe mund të zëvendësosh një apo dy, por nuk jam partizan i janarit për të ndërhyrë shumë , sidomos kur nuk ke nevojë, kjo do shihet ën vijim”, tha Duro.