Pëson humbjen e parë

Futboll

Pëson humbjen e parë

Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 17:03
Pëson humbjen e parë

Janë luajtur sot ndeshjet e javës së dhjetë në Kategorinë e Parë. Bylisi kryesues pëson humbjen e parë në Peqin, fitore minimale dhe e rëndësishme e Erzenit, teksa Korabi merr një pikë në Lushnje dhe renditet në vend të tretë.

Shkumbini fitoi 2-0 në Peqin ndaj Bylisit, duke i shkaktuar disfatën e parë sezonale ballshiotëve. Endri Magani zhbllokoi takimin në fundin e pjesës së parë, ndërsa goli i brazilianit Barbosa (58’) vulosi suksesin e ekipit bardhekaltër, që është ngjitur në vendin e shtatë.

Bylisi mbetet në krye, por diferenca me Erzenin ndjekës është reduktuar në 5 pikë. Skuadra e Nevil Dedes mposhti 1-0 Burrelin falë golit të shkodranit Jasmin Rraboshta në minutat shtesë të ndeshjes.

Asnjë gol nuk prodhoi sfida Lushnja-Korabi, me vendasit që regjistruan përballjen e katërt pa fitore në Kategorinë e Parë. Vendi i tretë me 19 pikë për ekipin dibran, që numëron tre pikë më pak se Erzeni.

Sota dhe Maksuti realizuan në pjesën e dytë golat që i dhuruan Apolonisë fitoren 2-0 në Fier përballë Turbinës. Feston edhe Besëlidhja, që triumfoi 2-3 në fushën e Maliqit, duke arritur suksesin e dytë radhazi në kampionat.

Redon Danaj ishte heroi i lezhianëve me tri gola, teksa vendasve nuk u shërbyen rrjetat e Kames dhe Demollarit në fraksionin e dytë të takimit.

Besa humbi 1-0 në Pukë përballë Tërbunit, që mori fitoren falë golit të Hysës në pjesën e parë. Të dy skuadrat ndajnë vendin e pestë me nga 15 pikë. Në takimet e tjera, Tomori ngeci në një barazim të bardhë shtëpiak përballë Butrintit, ndërsa Vora realizoi tre gola në suksesin përballë Pogradecit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat