Që Zvicra siguroi kualifikimin direkt në Botërorin Katar 2022 duhet të falenderojë edhe Irlandën e Veriut e cila arriti të frenonte Italinë në një barazim pa gola në Belfast.
Mënyra më e mirë për t’i falenderuar britanikët ka qenë duke mbajtur premtimin të cilin zviceranët u kishin bërë para ndeshjes ku u kishin premtuar një sasi të caktuar cokollatash zvicerane të cilat njihen si më të mirat në botë nëse do të frenonin Italinë.
Federata e Futbollit të Zvicrës ka publikuar një video interesante. Në të shihet trajneri i përfaqësueses helvete, Murat Yakin duke peshuar çokollata zvicerane, dhe duke i paketuar ato për tia dërguar për përfaqësueses së Irlandës së Veriut. Në total, bëhet fjalë për 9.3 kilogramë çokollatë që Zvicra e ka dërguar në Britaninë e Madhe.
Yakin kishte premtuar se do të dërgonte nga 100 gram çokollatë për secilën prej 93 minutave, në të cilat Irlanda e Veriut nuk pësoi gol kundër italianëve.