Cristiano Ronaldo konfirmohet edhe një herë kampion brenda dhe jashtë fushës.
Portugezit iu kërkua ndihmë nëpërmjet rrjeteve sociale nga kantautorja amerikane Pink dhe ai iu përgjigj menjëherë pozitivisht. Ish-futbollisti i Juves dhe Realit të Madridit, tashmë pjesë e Manchester United, ka qenë shpesh protagonist i gjesteve të bukura larg fushës së blertë. Pink, duke e etiketuar atë në një postim në Twitter, e pyet:
“Përshëndetje Cristiano! Këtë vit po mbështes dy fëmijë për Krishtlindje, që nuk duan asgjë më shumë se një fanellë tënden. Jam e vendosur që t’ia plotësoj dëshirën. Mendon se mund të dërgosh dy fanella dhe të ndryshosh jetën e tyre? E di që bën gjëra të mrekullueshme por…”.
Cristiano Ronaldo nuk humbi kohë dhe u përgjigj: “Përshëndetje Pink! Jam i lumtur që mund t’ju ndihmoj. Do t’u jap këtyre djemve disa fanella me autograf, nuk ka problem. Urime që e bëre të mundur këtë.”
Një gjest altruizmi, që ka marrë vlerësimin e ndjekësve të të dyve.