Vushtrria është kampion vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës, Grupi B.
Vushtrriasit duke iu falënderuar fitores në Prishtinë, me rezultat 1:0 kundër Ramiz Sadikut, arritën në kreun e tabelës.
Futbollisti Daut Maxhuni është realizator i golit të fitores.
Vushtrria synon rikthimin në elitën e futbollit të Kosovës dhe po në vitin 2022 e kanë edhe 100 vjetorin e themelimit të klubit, që të dyja t’i festojnë së bashku.
Maxhuni tha se janë kandidatët kryesor për t’u rikthyer në elitë sepse Vushtrria e ka vendin në shoqërinë e më të mirëve.
Ëmbëlsira më e mirë do të ishte rikthimi në 100 vjetorin e themelimit të klubit.
Vushtrria kryeson renditjen me 26 pikë, ka një më shumë se Ferizaj në pozitën e dytë.
“Bota sot”: Vushtrria pas shumë peripecive, këndellet dhe në fund stoliset me titullin vjeshtor, ku ishte forca kryesore?
Daut Maxhuni: Besoj se kemi bërë një ekip të mirë e me djem të ri po ashtu edhe lojtarë me përvojë, ishte një miks i mirë. Po ashtu edhe përvoja e trajnerit Samuel, kemi qenë kompakt këtë sezon si kolektiv.
“Bota sot”: Cilat ekip i sheh në garë të fortë për vendin e parë?
Daut Maxhuni: Arbëria, besoj ka ekip të fort po ashtu edhe Ferizaj. Me këto dy ekipe deri në fund do ta çojmë garën.
“Bota sot”: A mendoni se Ramiz Sadiku dhe 2 Korriku janë befasi dhe mund të janë rival të papërshtatshëm për pjesën pranverore?
Daut Maxhuni: Dyjat janë ekipe cilësore, besoj se kanë bë një gjysmë sezon të shkëlqyeshëm por unë mendoj se Arbëria edhe Ferizaj janë konkurrent kryesor, kuptohet pas Vushtrrisë.
“Bota sot”: Çfarë i duhet me shumë Vushtrrisë?
Daut Maxhuni: Përkrahje nga i gjithë qyteti duke filluar nga kryesia e kështu me radhë.
“Bota sot”: megjithatë, a mendoni se Ferizaj është rivali kryesor?
Daut Maxhuni: Arbërinë e shoh rival kryesor. Thënë të vërtetën edhe Ferizaj ka ekip cilësore, një trajner të dëshmuar. Mendimi im është se Arbëria është konkurrenti ynë kryesor.
“Bota sot”: Çfarë premton për pranverë dhe a mendoni se janë pikë reale apo është pritur më shumë?
Daut Maxhuni: Në bazë të rrethanave se si kanë shkuar, mendoj se jemi këtu ku jemi me meritë. Unë premtoj se do e bëjmë maksimumin që klubi ynë të jetë për 100 vjetor e themelimit të klubi në Superligë. Dihet se në vitin 2022 është 100 vjetori i klubit, për këtë arsye do të bëjmë çmos të arrijmë këtë objektiv.