Derbi i Selanikut mes PAOK-ut dhe Arisit është gjithmonë një nga më të nxehtët në futbollin botëror dhe përjashtim nuk ka bërë as ky i luajtur sot. Ndeshja është ndërprerë në minutat e fundit të saj, pasi stadiumi “Toumba” është kthyer në një arenë të mirëfilltë luftë.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij dueli dhe tensionin që mbart, ishte ftuar një gjyqtar ndërkombëtar, skocezi Maden, që të drejtonte sfidën ku PAOK ishte pritës.
Kontestime nuk kishte, por tifozëve vendas duket nuk u pëlqeu rezultati me të cilën po mbyllej ndeshja, pasi Arisi po fitonte me shifrat 1-0.
Ndaj në minutën e 92-të të duelit, ultrasit e PAK fillimisht hodhën tymuese të shumta, e më pas vërshuan vetë nga tribunat në fushën e lojës. Kjo bëri që të ndërhynte edhe policia, me përplasje të dhunshme në fushë e në tribuna mes palëve, duke sjellë ndërprerjen e takimit, në një situatë ku nuk mund të flitej më për futboll.