Robert Levandovski i Bajernit dhe Erling Haland i Dortmundit janë duke bërë histori në Bundesligën gjermane. Polaku ka shënuar 14 gola, ndërsa norvegjezi 10 në vetëm 13 javë të luajtura. Por, duke llogaritur dhe gjashtë javët që Haland ishte i vrarë, mund të kishim një renditje tjetër.
Haaland dhe Leva, një përzierje e tyre do të krijonte padyshim sulmuesin perfekt, robotin e golave. Polaku ka shënuar 198 gola për Bajernin nga 291 në total, numri 9 i Borusias ka shënuar 40 nga 50 golat e tij në Bundesligë me të majtën.
Në lojën në ajër, Leva ka shënuar 15% të golave me kokë, këtu Haland qëndron pak më poshtë me 8%. Por bomberi verdhezi është më i mirë në kundërsulmet e shpejta, teksa ka shënuar 16% të golave në këtë mënyrë, Leva është me vetëm 10%.
Edhe individualisht, Leva dhe Haland bëjnë pjesë te sulmuesit më të mirë në botë.
Kapiteni i kombëtares polake shënon në kampionat mesatarisht 1 gol në 100 minuta, nordiku shënon 1 gol në 81 minuta.
Pas tyre vjen vetëm ish-legjenda gjermane, Gerd Myler, që shënonte 1 gol në 105 minuta. Robert është lojtari që ka goditur më shumë në portën kundërshtare, plot 54 herë në sezonin e ri, edhe pse ishte Erling ai që kryesonte këtë renditje para se të dëmtohej dhe të qëndronte gati 2 muaj jashtë fushave të blerta.