Robert Levandovski është nën kontratë me Bajernin deri në qershor të 2023-shit. Polaku ende nuk ka rinovuar me kampionët e Gjermanisë dhe sipas mediave spanjolle kjo ka një arsye.
Sipas “AS”, prioriteti i bomberit është Reali i Madridit. Lojtari mësohet t’i ketë kërkuar agjentit të tij, Pini Zahavi, për ta dërguar në sezonin e ardhshëm te “galaktikët”.
Kjo, pasi Leva beson se madrilenët kanë më shumë influencë mediatike dhe se nëse do të kishte qenë një lojtar i Realit, “Topi i Artë” do të ishte në koleksionin e tij më herët.
Gjithsesi, “AS” gjithashtu shkruan se prioriteti i Realit në merkato për sezonin e ardhshëm mbeten sulmuesi i Dortmundit, Erling Haland dhe Kilië Mbape që luan për Parisin në Francë.
Duke parë dhe moshën e madhe të polakut, madrilenët preferojnë një destiancion tjetër edhe pse nuk kanë mohuar kurrë faktin që e kanë pasur ëndërr kalimin e Levandovskit në Madrid. Këtë e zbuloi edhe vetë sulmuesi i Bajernit në një intervistë pak muaj më parë ku tha se ishte takuar me presidentin Florentino Perez.