Një eksod i vërtetë pritet të ndodhë në janar te PSG.
Sipas asaj që raporton Footmercato, drejtuesit parizienë kanë vendosur të heqin nga ekipi lojtarët e padëshiruar.
Kështu, në listën e largimeve ndodhen plot shtatë lojtarë që nuk konsiderohen më si pjesë e projektit të klubit. Duke nisur nga porta, Sergio Rico nuk do të jetë më pjesë e ekipit që nga janari. Për drejtuesit, portieri është një kosto e shtuar që peshon në bilancet e klubit.
Në mbrojtje emrat janë tre. I pari është Layvin Kurzawa që shikohet si një largim thuajse i sigurt, i ndjekur nga Thilo Kehrer dhe Abdou Diallo. Për dy të fundit, priten ofertat e duhura në mënyrë që klubi të përfitojë edhe financiarisht.
Në mesfushë, Leandro Paredes dhe Rafinha rrezikojnë të largohen nga ekipi si të padëshiruar. Problemi më i madh është te Rafinha që nuk ka oferta në drejtim të klubit parizien, dhe ata i kanë kërkuar lojtarit që të gjejë një ekip ku të shkojë.
Në sulm, edhe pse në një situatë delikate, emri i Mauro Icardit nuk shikohet më si i vlefshëm në Paris. Ofertat për argjentinasin nuk mungojnë dhe pritet një rikthim në Serie A.