Tre humbje në ndeshjet e fundit të Bundesligës dhe vetëm një fitore në pesë takimet e fundit, kanë rezultuar fatale për trajnerin e Leipzig, Jesse Marsch. Dukej se ekipi nuk po i përgjigjej më 48-vjeçarit ndërsa me javët që kalojnë, ekipi ka humbur shumë terren në klasifikim ndërsa tashmë është në vendin e 11 me 18 pikë.
Marsch e kishte marrë drejtimin e Leipzig në fillimin e sezonit duke zëvendësuar Nagelsmann, teksa e nisi në mënyrë pozitive aventurën e re, megjithatë vazhdimësia mungoi dhe kështu eksperienca e tij nuk zgjati më shumë se pesë muaj.
Ndërkohë, pas shkarkimit të Marsch, ekipi i është besuar përkohësisht deri në gjetjen e një trajneri të ri, Achim Beierlorzer.
Ky i fundit do të ketë detyrën të drejtojë skuadrën për ndeshjen europiane të mesjavës ndaj Manchester City, ku kërkohet me patjetër rezultat pozitiv për të garantuar pjesëmarrjen në Europa League.