Ilir Daja u shfaq optimist në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Vllaznisë.
Megjithatë vlerësimet për shkodranët nuk munguan me Dajën që analizoi edhe sulmin e skuadrës shkodrane ndërsa foli edhe për rotacionin që mund të bëjë në skuadër gjatë këtyre dy javëve ndërsa konfirmoi edhe njëherë faktin se Alban Hoxha është rikuperuar por edhe ndaj Vllaznisë titullar do të jetë Aldo Teqja.
Vllaznia – “Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë vjet dhe e ka startuar edhe këtë sezon shumë mirë.
Më kujtohen fjalët e një trajneri të Dinamos, i nderuari Bejkush Birçe që thonte ‘një lojë e bukur mbahet mend një javë, ndërsa rezultati hyn në histori’. Përballjet me Vllazninë janë ndeshje ku brenda është dhe kënaqësia dhe vështirësia.
Ata luajnë një futboll të hapur, kjo shihet dhe nga golavarazhi, luhet në një vend që është komod se stadiumi ‘Loro Boriçi’ është një nga stadiumet e reja të Shqipërisë. Pavarësisht se tifozët shkodranë do të bëjnë tifo për skuadrën e tyre, dihet që nëse luan bukur dhe nëse merr pikë në Shkodër mund të dalësh edhe i duartrokitur.
E gjitha kjo panoramë, do të thoja që ka edhe vështirësinë e vetë dhe bukurinë e saj për të luajtur futboll në Shkodër".