Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, e ka vlerësuar si të rëndësishme fitoren ndaj Kastriotit, ndonëse luhej ndaj ekipit të fundit në renditje. Pas fitores 3-0 ai deklaroi për “SuperSport” se objektivi kishte qenë që të bëheshin më shumë pikë se në këtë moment në fazën e parë.
“Është pozitive kur sulmuesit shënojnë, dihet ndjesia a që duan të shënojnë patjetër. Jam i kënaqur që Taulanti shënoi dy herë e Ngo vazhdon të shënojë pas fundjavës që kaluam.
Mendoj se çdo trepikësh është i rëndësishëm. Sot kishim vlerësuar maksimalisht kundërshtarin se po të bëjmë llogari në fazën e parë pas 3 ndeshjesh kishim 5 pikë e sot deshëm të ngrinim këtë numër. Kastrioti është skuadër që duhet vlerësuar, nuk e pamë si fundin e tabelës por si çdo skuadër tjetër.
Për çdo skuadër e rëndësishme është vazhdimësia dhe e rëndësishme është që ky ngërç të mos zgjatë shumë. Këto dy fitore na kthejnë në vendin e duhur se e rëndësishme është vazhdimësia. Dihet që do kesh momente të këqija, por e rëndësishme është të rikuperosh e të kthehesh në vendin e duhur.
Me sa mundësi kemi do të çlodhim lojtarët, do të shohim si mund të kursejmë energji. Por të rëndësishme janë tre pikët, nuk mund të çekuilibrojmë skuadrën duke i lënë jashtë nga fillimi.
Ne kemi ndryshuar në varësi të kundërshtarëve dhe shpesh kthehemi me tre në sulm. Mendoj se Seferi është më efikas në anësore, duke u futur në qendër se është më i rrezikshëm.
Kemi lojtarë si Totre që është gjithmonë afër Ngo, duke parë se shpesh luan si 10 dhe Taulanti vjen me befasi në zonën e rrezikshme. Dua që të luajë në krah në fillim e të krijojë befasi, kështu ka rezultuar e suksesshme. Seferi i bën të gjitha rolet, por organika e lojtarëve që kemi bën që të përdorim Totre e Hotin si organizator”, shpjegoi Shehi.