Leart Paçarada nuk ka luajtur qe një kohë në Kombëtaren e Kosovës.
Mbrojtësi i majtë kishte vendosur vetë të qëndrojnë larg “Dardanëve” derisa në krye të tyre do të ishte trajneri Bernard Challandes.
Tash, zvicerani u largua nga Verdhekaltrit dhe Kosova është në kërkim të trajnerit të ri.
Dhe, 27 vjeçari tash thotë se është i gatshëm të rikthehet në Kombëtare.
“Nën drejtimin e trajnerit të vjetër, kishim ardhur në përfundim që nuk kishte më sens të isha pjesë e ekipit në atë mënyrë. Trajneri nuk është më. Dhe, tash do të shikojmë përpara”, deklaroi Paçarada për mediumin gjerman “Bild”.
Ai zbulon se e ka vuajtur shumë mungesën në ekipin kombëtar të Kosovës.
“Të luash për vendin tënd është diçka mjaft speciale. Kam qenë gjithmonë atje në vitet e fundit, i ulur para televizorit me një dhimbje në zemër”, shtoi Paçarada, i cili ishte jashtë ekipit kohëve të fundit.
Paçarada nuk u ftua për ndeshjet e nëntorit, por shpreson që nga viti tjetër t’i vijë ftesa nga Kosova.
Gjithashtu, një tjetër synim i Paçaradës është që sezonin tjetër të luajë në Bundesligë me St Paulin.
Ai i ka zhvilluar 43 ndeshje radhazi me ekipin gjerman dhe për këtë ndihet i lumtur.
“Ndihem mjaft mirë. Trupi po e bën këtë pa problem. Edhe gjunjët dhe ijët po shkojnë mjaft mirë”, përfundoi Paçarada.