Zekirija Ramadani debutoi me humbje si trajner i Egnatias, që u mposht 2-0 në Korçë me Skënderbeun vendas. Trajneri i skuadrës nga Rrogozhina foli rreth disfatës së sotme për “Gol pas Goli” në Supersport, duke shpjeguar pse pranoi të marrë drejtimin e Egnatias në këtë moment të sezonit.
“Kishim vetëm dy stërvitje për këtë takim, kështu që duhet të jemi të kënaqur me angazhimin. E dinim se do rrezikonim, por ndryshuam stilin dhe mënyrën e lojës.
Na mërzit rezultati, duhet të kishim dalë me një pikë. Do të bëjmë analizën e ndeshjes dhe do të përmirësojmë gabimet, që vijnë edhe nga presioni i kundërshtarit.
Ndryshuam stilin, mendoj se kam shpresë për të ardhmen e ekipit. Nuk do isha futur në këtë rrezikshmëri të madhe po të mos besoja tek ekipi. Jam i bindur që mund të nxjerrim më tepër nga 3 ndeshjet e mbetura. Është herët, por do të flasim edhe për përforcime.
E pëlqej rrezikshmërinë, e dija se ku futem, e njoh Superioren. Adrenalina ekziston, dua të provoj veten edhe njëherë në kampionatin shqiptar. Kam besim te puna, te mbështetja e drejtuesve, dhe më e rëndësishmja, te kontingjenti i ekipit.
Mendoj se do arrihet objektivi i mbijetesës. Duhet të japim maksimumin. Nëse marrim pikë, rritet edhe oreksi, por na duhen pikë për të rikthyer besimin tek ekipi dhe drejtuesit. Egnatia ka kualitet.
Çdo skuadër që ka 3-4 futbollistë të dëmtuar, e ka të vështirë. Shpresoj të rikthehen, të kemi një konkurrencë të fortë dhe të shohim se çfarë mund të arrijmë”, përfundoi 43-vjeçari nga Shkupi.