Napoli ia ka dalë të kualifikohet për në fazën e 1/16-tave në Europa League, teksa e ka siguruar biletën në takimin e fundit në Grupin C, duke mposhtur në shtëpi me rezultatin 3-2 Leicester Cityn.
Të kaltrit e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme sfidën, duke gjetur dy gola të shpejtë me Ounas dhe Elmas, megjithatë anglezët treguan shpirtin luftarak dhe gjetën barazimin po në 45-minutat e para, për t’u mbyllur pjesa e parë 2-2.
Në pjesën e dytë, Napoli doli me vrull për të rikthyer avantazhin.
Goli erdhi për italianët në minutën e 53-të, shënoi sërish Elmasi dhe ia siguroi kualifikimin Napolit.
Nga minuta e parë në fushë në këtë takim zbriti edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Ai vazhdon të jetë zgjedhja e parë e Luciano Spalletit në mbrojtje.
Rrahmani u shpreh tejet i lumtur për fitoren e madhe që mori Napoli, fitore që i kualifikoi ata në rundin tjetër të Europa Leagues.
“Vuajtëm, por morëm fitore të madhe”, shkroi Rrahmani në Facebook.