Van der Vaart nuk i kursen kritikat për Timo Werner.
Pasi e ka quajtur “kalë qorr”, për mënyrën e lojës të sulmuesit të Chelsea-t, ish-ylli i Holandës është kthyer të kritikojë gjermanin.
Dhe të mendosh se këtë herë Werner ka bërë gjithçka mirë, duke shënuar dy nga tre golat kundër Zenit-it, që nuk i kanë mjaftuar Bluve për ta fituar grupin e Champions League, dhe duke i dhënë asistin Lukaku-t për golin tjetër, shkruan Telesporti.
Një nga golat ka qenë edhe i bukur, me gjermanin që ka kontrolluar topin me të majtën, është zhvendosur në të djathtë dhe ka goditur në shtyllën e kundërt.
Një gjest që telekronistit të Ziggo Sport i ka kujtuar Robin van Persie. Por ka mjaftuar vetëm që të përmendet ish-sulmuesi i Arsenal dhe Manchester United që Van der Vaart të zemërohej.
“Nëse e krahasoni Werner me Van Persie përsëri, do të largohem”.
Në fund, holandezi ka qëndruar në vendin e tij. Duket se kërcënimi ka patur efekt.