Kampionia në fuqi e Kosovës, FC Prishtina ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll e zhvillon të shtunën ndaj Llapit në stadiumin "Sami Kelmendi" në Lipjan, sfidë e cila i takon xhiros së 18 të BKT Superligës së Kosovës në futboll.
Dueli Llapi - Prishtina luhet me fillim në orën 13:00.
Ndeshja në fjalë si fillim ishte planifikuar që të zhvillohet në Merdarë, por për shkak të kushteve të terrenit, Komisioni i Garave ka vendosur që dueli në fjalë të luhet në Lipjan.
Prishtina në këtë ndeshje vjen pas humbjes së pësuar në xhiron e fundit nga Drita me rezultat 1:0, derisa Llapi në takimin e fundit barazoi me Dukagjinin (0:0).
Ndeshja e parë e zhvilluar në kryeqytet në këtë edicion mes Prishtinës dhe Llapit ka përfunduar me fitoren e llapjanëve 2:1. Prishtina që tashmë drejtohet nga trajneri Abdulah Ibrakoviq, në atë takim është udhëhequr nga ish-trajneri Zekirija Ramadani.
Përballja e Lipjanit është e një rëndësie të veçantë për të dyja ekipet, pasi si Prishtina, ashtu edhe Llapi e synon pjesën e epërme të tabelë, shkruan në faqen e FC Prishtina.
Prishtina para këtij takimi ndodhet në pozitën e pestë me 24 pikë, kurse Llapi zë vendin e katërt me 26 sosh. Prishtina nuk i druhet Llapit, synon pikë të plota.