Sikur çdo javë tjetër, edhe këtë javë do të ketë duele mjaft interesante në Premierligën angleze.
E shtuna do të karakterizohet me disa ndeshje të skuadrave të mëdha nga Premierliga.
Në Premierligë, pesë nga gjashtë skuadrat e “Big Six” së famshme do të luajnë gjatë ditës së sotme.
Manchester City do të hapë duelin e ditës së sotme duke pritur në Etihad skuadrën e Wolverhampton nga ora 13:30.
Kampionët janë në një ecuri prej pesë fitoreve radhazi që nga humbja 2-0 në shtëpi ndaj Crystal më 30 tetor.
“Citizens” gjenden si liderë të tabelës me 35 pikë të mbledhura, të ndjekur nga Liverpool me 34 pikë e Chelsea me 33 pikë.
Ndërkohë tri duele të tjera do të zhvillohen nga ora 16:00.
Liverpooli do ta mirëpresë në Anfield skuadrën e Aston Villas, me një rikthim emocionues të Gerrard tani si një menaxher i Villas.
‘Reds’ janë në një ecuri prej katër fitoreve radhazi, me të fundit të ardhur në kohën shtesë me rezultat minimal 1-0 në Molineux ndaj Wolves.
Chelsea do t’i bëjë konak skuadrës së Leedsit në Stamford Bridge.
‘Blutë’ humbën lidershipin në tabelë fundjavën që shkoi pasi u mposhtën nga West Hami në një përballje të fortë londineze, teksa do të kërkojnë këndelljen ndaj skuadrës së Bielsas që këtë sezon kanë dëshpëruar deri më tani, duke u gjendur në pozitën e 15-të në tabelë me 16 pikë të mbledhura.
Arsenali gjithashtu do ta mirëpresë në shtëpi skuadrën e Southamptonit.
“Gunners” të cilët kanë dy humbje nga dy ndeshjet e fundit, do të kërkojnë të rikthehen tek fitoret për të luftuar për objektivin e tyre këtë sezon – pjesëmarrjen në garat e Ligës së Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
Southamptoni ndërkohë është pa fitore në katër ndeshjet e fundit, teksa londinezët kanë një rekord të mirë në shtëpi këtë edicion, duke fituar pesë, humbur një e barazuar një tjetër në shtatë ndeshje të zhvilluara në Emirates.
Ndeshja përmbyllëse e ditës së shtunë në Premierligë do të jetë ajo mes Norwichit dhe Manchester United.
United ka regjistruar dy fitore në dy ndeshjet e fundit, me të fundit të ardhur në debutimin e Ralf Rangnick në fitoren minimalen ndaj Crystal Palaces në Old Trafford.
“Djajtë e Kuq” pozicionohen në pozitën e gjashtë me 24 pikë të mbledhura, gjersa Norwichi gjendet në pozitën e fundit në tabelë me 10 pikë të mbledhura.