Trajneri i Chelsea-t, Thomas Tuchel, ka komentuar fitoren 3-2 të arritur në kampionat kundër Leeds.
“Mendoj se e kemi merituar fitoren, por natyrisht je edhe me fat kur realizon një gol në kohën shtesë”, ka thënë trajneri gjerman për Sky Sports UK.
“Megjithatë, ka qenë shumë e rëndësishme që kemi rikuperuar dy herë disavantazhin dhe jam shumë i lumtur. Kemi qenë me fat, por na duhej. Në dy ndeshjet e fundit nuk kemi patur fat duke pësuar gol në fund”.
Më pas, Tuchel ka folur për Jorginho-n, autor i dy golave me penallti që i kanë dhuruar fitoren londinezëve.
“Nuk është e lehtë të realizohen dy penallti. Nuk isha i sigurt nëse do ta gjuante edhe të dytën. Kemi besim te lojtarët tanë, nuk është e lehtë, kështu që merita është e tija”.