Mesfushori i Bayern Munich dhe i Kombëtares së Gjermanisë Joshua Kimmich është i gatshëm që të marrë vaksinën kundër Covid-19 pas disa muajve që e ka lënë pezull këtë vendim.
26 vjeçari ishte në fokus të mediave në muajin tetor, kur edhe e shpjegoi që nuk dëshiron ta marrë dozën e parë për shkak se besonte që nuk ka kërkim të duhur në efektet afatgjate.
Kimmich nuk është paraqitur për Bayernin që nga 6 nëntori pasi që i ishte dashur për herë të dytë që të vet-izolohet për shkak se kishte pasur kontakte me persona që kishin rezultuar pozitiv me Covid-19.
Më pas, ai ishte infektuar me Covid-19 dhe këtë javë u raportua që lojtari do të mungojë deri në vitin 2022 për shkak të disa problemeve në mushkëri.
Në një intervistë me “ZDF”, Kimmich tregoi që tani ai është në një pozitë ku dëshiron që të vaksinohet.
“Në përgjithësi, ishte e vështirë për mua që të merrem me frikën time dhe me brengat që kisha, kështu që kjo ishte arsyeja pse isha i pavendosur për një kohë të gjatë”, tha Kimmich.
Pavarësisht se ka një muaj që mungon në fushat e blerta, Kimmich ka arritur të bëjë 18 paraqitje për Bayernin në të gjitha garat.