Në ndeshjen e fundit të Manchester United, mbrojtësi Victor Lindelof u detyrua të linte para kohën fushën e lojës teksa në minutën e 74 lojtari pati probleme me frymëmarrjen.
Një shtrëngim në gjoks bëri që suedezi të mos rrezikonte më shumë ndërsa në vazhdim komplikacioni i tij u lidh edhe me një infektim të mundshëm nga COVID-19.
Megjithatë, ky version është hedhur poshtë, ndërsa Lindelof i është nënshtruar testeve të ndryshme për të kuptuar se nga erdhi shqetësimi në gjoks.
Së fundmi, ka qenë gruaja e 27-vjeçarit, Maja Nilson, e cila ka zbuluar se lojtarit i është vendosur një aparat që monitoron rrahjet e zemrës për të parë nëse ka diçka që nuk shkon.
“Ishte një ndeshje e frikshme ajo e fundit për Lindelof, ai ishte i shqetësuar pas saj.
Ka bërë shumë teste dhe në fund ka vendosur edhe një aparat për të ndjekur rrahjet e zemrës dhe për të qenë të sigurt se gjithçka është në rregull”, u shpreh bashkëshortja e Lindelof.