Realit të Madridit nuk i del ende e keqja me shortin e Ligës së Kampioneve.
Ndryshimi i rivalit nga Benfika te Paris SG-ja i ka lënë shumë të pakënaqur në Madrid.
Madje, te Reali janë ndier të fyer nga UEFA.
Klubi spanjoll ka reklamuar pranë UEFA-s hedhjen për herë të dytë të shortit.
Në justifikimin e vet Reali ka bërë me dije se çifti Benfika-Real i hedhur në shortin e parë nuk duhej të ndryshohej, pasi nuk ndikonte aspak në çiftet e tjera të dala nga shorti.
Por një gjë e tillë nuk është marrë parasysh nga UEFA, që ka vendosur ta bëjë “nul” shortin e parë dhe të hedhë gjithçka nga e para.
Më pas historia është ajo që dihet, me Realin që do të përplasë “brirët” me Paris SG-në, skuadrën më të fortë të mundshme nga ato të renditura në vendin e dytë në fazën në grupe.
Te Reali bëjnë fajtor presidentin e UEFA-s, Ceferinin. Madje, ato flasin për një luftë të hapur mes tij dhe klubit rekordmen të titujve në Champions.
Sipas televizionit zyrtar të Realit të Madridit “Real Madrid TV”, ka qenë vetë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, që ka urdhëruar përsëritjen e shortit të 1/8 e finaleve.
Akuzat e organit zyrtar mediatik të Realit kanë qenë tepër të rënda, duke e etiketuar qeverinë europiane të futbollit si një regjim.
“Ndryshon shumë filmi, por ajo që nuk ndryshon është paturpësia e UEFA-s. Këtu nuk po flasim për faktin që Ceferin i ka lënë dorë të lirë klubeveshtete apo dopingut financiar. Ajo që shqetëson më shumë është drejtimi i UEFA-s prej tij. UEFA është kthyer në një regjim absolutisht diktatorial”, ka qenë komenti i gazetarit të “Real Madrid TV”, Hezus Alkaide.