Turneu i Përfaqësueseve Rajonale ka njohur të gjitha skuadrat finaliste pas ndeshjeve të fundit mes ekipet e Zyrave Rajonale të Fierit, Elbasanit, Korçës dhe Gjirokastrës të luajtura ditën e martë.
Të katër ekipet përfaqësuese rajonale u përballën ditën e martë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit me ndeshjen hapëse që u luajt mes Fierit dhe Gjirokastrës. Një ndeshje e dominuar nga ekipi fierak i drejtuar nga Bledar Borova, që fitoi me rezultatin 4-0 me golat të shënuar nga Peçollari, Laze, Hyseni dhe Xhindi.
Sfida tjetër mes Korçës dhe Elbasanit ka dhuruar emocione dhe gola, teksa në fund suksesi i ka takuar ekipit korçar të drejtuar nga Ligoraq Tiko, që fitoi me rezultatin 4-2. Golat për korçarët u shënuan nga Çaçellari, Basholli, Coma dhe Banushllari, ndërsa për ekipi elbasanas të trajnerit Egert Kuçi realizoi dy gola Tertyli.
Në finalen e grupit Fieri sfidoi Korçën, me fierakët që arritën të fitonin sfidën me rezultatin e ngushtë 2-1. Korça kaloi në avantazh me Çaçellarin në pjesën e parë, por Fieri përmbysi gjithçka në pjesën e dytë fillimisht duke barazuar me autogolin e Allkjas dhe më pas sigloi fitoren me golin e Hysenit me 11-metërsh. Në ndeshjen e fundit, Elbasani mundi Gjirokastrën me shifrat 3-1 me golat e Panxhit (2) dhe Cokës, ndërsa për gjirokastritët golin e vetëm e shënoi Guce.
Kësisoj, Fieri shkon në finalen e turneut për moshën U-13 ku do të përballet me Tiranën.
Ndeshjet e zhvilluara të martën në Fier u ndoqën nga Drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta, eksperti i futbollit Sulejman Mema, trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave Ardi Behari, Armand Damo, Agron Kërçova si edhe përfaqësues të zyrave rajonale të FSHF.
Ndërkaq, janë përcaktuar edhe datat dhe oraret e tre finaleve për grup-moshat U-13, U-14 dhe U-15. Këto sfida do të luhen ditën e enjte, 16 dhjetor, në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Në të treja finalet do të përballen Tirana dhe Fieri.