Ka përfunduar edhe ndeshja e fundit e javës së 13-të në Kategorinë e Parë. Korabi reagoi pas humbjes në Fier dhe sot fitoi 1-0 në Peshkopi kundër Shkumbinit.
Ndeshja ishte tepër e luftuar, teksa emocionet ishin ruajtur për në pjesën e dytë të takimit. Ekipi mik mbeti me dhjetë lojtarë në minutën e 62-të.
Chinonso Onuh la Shkumbinin me një lojtar më pak pas ndëshkimit me të kuq dhe vendasit e shfrytëzuan superioritetin numerik.
Korabi intensifikoi sulmet drejt portës peqinase dhe ia doli të shënojë golin e fitores tetë minuta përpara fundit të sfidës.
Sokol Mziu ndëshkoi Shkumbinin dhe nisi festën me shokët e ekipit, me Korabin që i ka fituar të gjithë ndeshjet shtëpiake në kampionat.
Suksesi i sotëm konfirmon dibranët në vend të tretë me 25 pikë, nëntë më pak se Bylisi kryesues dhe gjashtë më pak se Erzeni i vendit të dytë.
Dy vendet e para sigurojnë ngjitjen në Abissnet Superiore, ndërsa vendi i tretë zhvillon “finalen” me vendin e tetë në Superiore.