UEFA dhe CONMEBOL kanë nënshkruar sot rinovimin e Memorandumit të Bashkëpunimi mes dy konfederatave deri më 30 qershor 2028.
Marrëveshja u arriti gjatë mbledhjes së zhvilluar përmes video-konferencës mes presidentëve dhe anëtarëve të Komiteteve Ekzekutive të të dy konfederatave, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Teksa kushtet e marrëveshjes origjinale mbeten po ato, ky memorandum i rinovuar përmban gjithashtu dispozita specifike në lidhje me hapjen e një zyre të përbashkët të UEFA/CONMEBOL në Londër dhe organizimin e mundshëm të një sërë aktivitetesh futbolli.
Aktiviteti i parë i përbashkët do të shohë fituesit e UEFA EURO 2020, Italia përballë fitueses së CONMEBOL Copa América 2021, Argjentinën në një ndeshje të quajtur “Finalissima” në Londër, më 1 qershor 2022.
Zyra e përbashkët në Londër do të inaugurohet zyrtarisht në fillim të vitit 2022.
Gjithashtu, ndër pikat esenciale të këtij bashkëpunimi strategjik është konfirmimi i ndërveprimit në unison mes dy konfederatave në funksion të rritjes së futbollit ndërkontinental dhe atij botëror.
Po ashtu është rënë dakord për organizimin e ndeshjeve mes ekipeve kombëtare të të dy kontinenteve, pa rënduar kalendarin aktual dhe duke mundësuar një model tërheqës sportiv për publikun.
Së fundmi theksohet intensifikimi i bashkëpunimit në fusha si futbolli i femrave, arbitrimi (siç ishte dhe shkëmbimi arbitrave në dy kompeticionet kulmante Europiani dhe Copa America), zhvillimi dhe shkëmbimi njohurive edukuese, trajningut dhe ekipeve te moshave.