Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, ka thënë se largimet e disa prej lojtarëve kryesorë në Kupën e Kombeve Afrikane muajin e ardhshëm, përfshirë Mohamed Salah dhe Sadio Mane, nuk do të bëjnë që klubi të përpiqet të blejë zëvendësues afatshkurtër për këta emra.
Ai ka deklaruar se një veprim i tillë vetëm sa do ta ndërlikonte situatën dhe se në skuadër ka mjaftë alternativa për zëvendësimin e tyre.
“Jam i kënaqur me skuadrën dhe ne kemi opsione të mjaftueshme për zëvendësimin e tyre”, u tha Klopp gazetarëve. “E dinim se tre lojtarë nga ekipi ynë do të kualifikoheshin tutje dhe do të ishin atje dhe e dinim që të paktën dy prej tyre do të shkonin shumë larg në këtë turne.”
“Një lëvizje e tillë mendoj se vetëm do ta komplikonte situatën në klubin tonë, andaj nuk do të bëjmë ndryshime të tilla”, shtoi trajneri gjerman.
Liverpooli është duke luftuar për titullin kampion në Premier Ligë këtë sezon dhe momentalisht është katër pikë prapa liderit Manchester City, ndërsa në fazën 1/16 të Ligës së Kampionëve do të ballafaqohet me kampionin e Italisë, Interin.