Ka qenë një mbrëmje e veçantë ajo e të mërkurës për dy lojtarë të Kombëtares shqiptare, që aktivizohen në kampionate elitare në Europë. Armando Broja dhe Nedim Bajrami kanë shënuar me klubet respektive, duke qenë protagonistë me golat e tyre.
Në Angli, bomberi kuqezi Armando Broja realizoi një gol të shkëlqyer në minutën e 36-të, duke i dhënë avantazh e përkohshëm 2-1 Southampton-it në sfidën ndaj Crystal Palace.
Shqiptari mori një top jashtë zonës dhe lëshoi menjëherë një goditje të fortë e pakapshme për portierin.
Për fat të keq, ndeshja u mbyll në barazim 2-2 dhe skuadra e Brojës duhet të kënaqet me një pikë. Paraqitja e sulmuesi shqiptar në këtë ndeshje është vlerësuar me notën 7.3 nga faqet e specializuara.
Në Itali, mesfushori Nedim Bajrami gjeti rrjetën me një supergol teksa Empoli i tij arriti të mundë Veronën 4-3 në transfertë dhe u kualifikua për në turin tjetër të Kupës së Italisë. Shqiptari realizoi golin e katërt me një gjuajtje perfekte në hyrje të zonës pas një goditje nga këndi, duke siguruar kështu kualifikimin. Në këtë sfidë është aktivizuar për 90 minuta edhe mesfushori i Kombëtares U-21, Kristjan Asllani.
Në Poloni, dy shqiptarët Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka u aktivizuan për 20 minuta me Legian në fitoren 4-0 ndaj Zaglebies.