Kosova do t’i mësojë sot kundërshtarët e vet të ri në edicionin e tretë 2022/23 të Ligës së Kombeve, në shortin që do të hidhet në Nyon të Zvicrës.
Kombëtarja e Kosovës është pjesë e Ligës C – kategoria e tretë apo niveli i parafundit i futbollit në këtë garë – ku ishte promovuar pas edicionit të parë 2019/20.
Verdhekaltrit kishin përfunduar në vendin e tretë, të parafundit në Grupin 3 të Ligës C edicionin e kaluar, duke i shpëtuar rënies në Ligën D për pak.
Edhe në edicionin e tretë, Kosova pritet t’i ketë përafërsisht kundërshtarët e nivelit të njëjtë si në edicionin e kaluar.
Liga C do t’i ketë katër grupe me nga katër ekipe kombëtare.
Kosova është në vazon e tretë dhe ndër kundërshtarët e mundshëm të saj nga vazoja e parë do të jetë njëra mes Turqisë, Sllovakisë, Bullgarisë apo Irlandës Veriore. Nga vazoja e dytë, Kosovës shorti do t’i bjerë me njërin prej këtyre skuadrave: Greqia, Bjellorusia, Luksemburgu apo Maqedonia e Veriut.