Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e sotme dhe ka marrë vendime në lidhje me ngjarjet e ndodhura në javën e 12-të të Abissnet Superiores, por edhe në divizionet e tjera të futbollit shqiptar.
Në takimin Laçi-Tirana u regjistrua një episod i pakëndshëm në pjesën e parë mes tifozëve. Stolat u hodhën në drejtim të njëri-tjetrit, moment që u shuajt shumë shpejt.
Klubi kurbinas është gjobitur me 100 mijë lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve, teksa e njëjta masë është marrë edhe për klubin kryeqytetas.
Gjobë edhe për Partizanin, pasi tifozët e kuq hodhën sende të forta në fushë gjatë derbit me Dinamon. “Demat” nuk vendosën stemën e Abissnet Superiores në mëngën e fanellës dhe Partizani është gjobitur me 150 mijë lekë.
100 mijë lekë gjobë edhe për Teutën, klubin tjetër që ka vendosur të mos vendosë në fanella stemën e Abissnet Superiores, teksa paralajmërohet Dinamo për sjelljen e gabuar të tifozëve kundër Partizanit.