Përçahet Premier League

Futboll

Përçahet Premier League

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 11:03
Përçahet Premier League

Nuk jam kundër që të ndalet kampionati, thjesht nuk e shoh si zgjidhje të problemit kur të rinisim sërish pas dy javëve, ndërkohë që virusi do të jetë akoma aty”. Jyrgen Klop, trajneri i Liverpulit është kundër hipotezës së ndërprerjes së Premier Ligës pas rasteve pozitive gjithnjë e në përkeqësim mes klubeve. Gjysma e ndeshjeve të kësaj fundjave u shtynë. Premier Liga do të ketë një takim të hënën për të vendosur për atë që do të ndodhë në të ardhmen.

Do të ketë edhe një takim mes trajnerëve dhe kapitenëve të klubeve. Gjermani nuk e kurseu edhe një sulm për klubet e Junajtidit dhe Totenhemit, të cilat rastet e tyre i mbanin sekrete në mënyrë të pakuptimtë sipas tij: “Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Shqetësimi ynë kryesor është që djemtë të gëzojnë shëndet të plotë.

Nëse dikush ka grip dhe ju më pyesni mua do të them që ka grip. Nëse ka një gisht të thyer, do të them se ka një gisht të thyer. Mendoj se shkëmbimi i informacioneve është me të vërtetë i nevojshëm, sepse të gjitha keqkuptimet dhe informacionet e gabuara sjellin keqkuptime për shumë njerëz.

Unë e di që ata që janë kundër vaksinës do të thonë se Klop bën thirrje për t’u vaksinuar, por tani lojtarët e tij janë infektuar. Por ka më pak gjasa që të infektohesh dhe nëse infektohesh do të thotë se mund ta kalosh më lehtë. Te Junajtidi dëgjova që ka një numër lojtarësh, por nuk e di se cilët janë. Nuk ia kam idenë as për virusin te Totenhemi.

Nuk e di nëse është e nevojshme të mbajmë sekrete. Më duket e çuditshme”. Përveç Van Dajkut, Fabinjos dhe Xhonsit, Klop tha se ditën e djeshme nuk kishte pozitivë të tjerë në skuadër. “Nuk kam informacion për Totenhemin. Nuk e di nëse janë stërvitur sot. Ne duam të luajmë të dielën”.

Tomas Frenk, trajneri i Brentfordit, i cili ka 13 të infektuar në skuadër, kërkoi ndërprerjen e kampionatit. Ndërsa trajneri i Njukasëllit, Edi Hau, ngriti dyshimet nëse disa klube duhet të vazhdojnë të luajnë kur të tjerat nuk mund ta bëjnë për shkak të numrit të lartë të infektimeve, të cilat kanë mbërthyer 10 prej 20 klubeve të Premier Ligës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat