Një sulmues është një nga objektivat e Juventusit në merkaton e janarit. Anthony Martial është një nga të preferuarit e “Zonjës së vjetër”, që kërkon të përfitojë nga fakti që francezi ka përfunduar zgjedhje e dytë e Ralf Rangnick.
26-vjeçari numëron vetëm 200 minuta aktivizim në Premier League këtë sezon dhe një gjë e tillë ka ndikuar që të kërkojë largimin nga skuadra angleze në janar.
Opsioni i transferimit te bardhezinjtë e Max Allegrit e tundon Martial, për të cilin ka interesim edhe nga Ligue 1, aty ku pëlqehet nga PSG e Lyon. Sulmuesi kërkon të luajë sa më shumë në mënyrë që të marrë një ftesë nga Deschamps për Botërorin Katar 2022.
Juventusi do të nisë së shpejti bisedimet zyrtare me Manchester United dhe lojtari ofensiv pritet të kalojë në Serie A në huazim me të drejtë blerje nga klubi italian në fund të sezonit.