Juventusi kërkon të ringrihet

Futboll

Juventusi kërkon të ringrihet

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 11:57
Juventusi kërkon të ringrihet

Juventusi kërkon të ringrihet, sërish në transfertë, këtë herë kundër Bolonjës, pasi pa që të mos e shijonte aspak xhiron me gondolë, të shtunën e kaluar në Venecia, ku bëri një ndalesë e cila konfirmon momentin e vështirë. “Zonja e Vjetër” pret festat e këtij fundviti me një axhendë shumë të ngjeshur dhe shumë çështje për t’u vlerësuar me kujdesin maksimal.

Pikësëpari janë dëmtimet e shumta që kanë kapluar bardhezinjtë, me Dibalën që do të mungojë në stadiumin “Dall’Ara”, por duke mos harruar këtu edhe artilerinë e rëndë të përbërë nga Kieza, Danilo, Kielini, por edhe Aron Ramsej, ndonëse në rastin e këtij të fundit duket më shumë një përjashtim nga skuadra, në tentativën për ta shtyrë uellsianin që të largohet me forcë në janar.

Në të njëjtën kohë, po shqyrtohen emrat për një sulmues që nevojitet në merkaton e janarit, duke parë vështirësinë e golit, ku deri tani situata thekson: Cavani ka refuzuar, Icardi nuk bëhet në huazim, Marsial është okazioni i fundit, Skamaka goditja më e lehtë, ndërsa ëndrra thuajse e pamundur është ai Vlahoviç, që dita ditës po përmbledh më shumë vëmendja nga klubet e mëdha se çdo lojtar tjetër.

Shkurt, të gjitha këto mendime në kokën e pjesëtarëve të klubit të Juventusit e bëjnë jo pak të lehtë transfertën e sotme me Bologna, ndonëse trajneri Masimiliano Alegri mundohet të ulë presionin duke përdorur vetëm pak fjalë, të qarta si kristali: “Merkatoja e dimrit nuk është asnjëherë ajo që të zgjidh problemet, madje shpesh t’i shton.

Problemi ynë është që cilësi kemi për të shitur, por e kemi fshehur diku dhe nuk po arrijmë të kujtojmë se ku. Prandaj, është e kotë që t’i shtojmë stres vetes me faktin e dëmtimeve, mundësive të merkatos apo gjërash të tjera. Duhet vetëm të mundim Bolonjën dhe të bëjmë sado pak më të hidhura këto festa që na presin përpara.

A më shqetëson ritmi i pesë skuadrave para nesh? Po dhe jo… Më saktë, më vjen keq që bëjmë gabime në momentin që duhet të fitojmë. Në dy javët e fundit i kemi rikuperuar Napolit 6 pikë, por sërish kemi ngecur prapa në renditje.

Brenda meje kam shumë gjëra për të thënë, por e vetmja që ia vlen aktualisht është që të fitojmë me Bolonjën dhe të përmirësohemi në pritje të dy dueleve direkte në fillim të janarit, me Napolin e Romën”, u shpreh Alegri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat