Pas thuajse dy vitesh me fanellën zikaltër, Christian Eriksen i dha lamtumirën Interit në mënyrë të detyruar, pasi defibrilatori në zemër e ka pamundësuar vijimin e karrierës së tij në Milano dhe palët prishën me marrëveshje kontratën.
Për të folur për këtë situatë, ka menduar edhe menaxheri i danezit, Martin Schoots, i cili deklaroi se Eriksen do të rikthehet në janar në “San Siro”, pasi dëshiron patjetër të përshëndetet me tifozët zikaltër.
“Historia me Interin nuk mund të përfundonte ndryshe, por jam shumë optimist për të ardhmen dhe mund të them me siguri që do të vijojë të luajë akoma. Në janar Eriksen do të jetë në “San Siro”, pasi dëshiron të përshëndetet me tifrozët, të cilët e kanë vlerësuar jashtëzakonisht si futbollist, por edhe si njeri”, deklaroi Schoots.
Menaxheri i Eriksen zbuloi se është kontaktuar nga disa klube për fantazistin dhe nuk ngurroi të sulmojë Italinë, si i vetmi vend që nuk të lejon të luash e madje as të stërvitesh me defibrilator.
“Italia është i vetmi vend që nuk të lejon të luash, e madje as të stërvitesh me defibrilator, ndaj ndërprerja e marrëveshjes me Interin ishte e detyruar.
Deri tani më kanë kontaktuar 3-4 klube të ndryshme për gjendjen e Eriksen dhe jam optimist që shumë shpejt do të gjejmë një ekip tjetër për të”, tha menaxheri.