Tifozët e Lyon bëhen sërish protagonistë negativë në këtë sezon pas ngjarjeve që ndodhën në sfidën ndaj Marseille që u ndërpre pas vetëm disa minutash pasi u godit kapiteni i OM Dimitri Payet.
Këtë të premte u ndërpre sfida e Kupës së Francës mes modestëve të Paris FC dhe Lyon pasi në fundin e pjesës së parë kur rezultati ishte 1-1, në tribuna shpërtheu një sherr masiv mes tifozëve të të dy klubeve, një pjesë e të cilëve hyrën edhe në fushën e lojës.
Kjo bëri që autoritetet të lënë skuadrat më gjatë në dhomat e zhveshjes, teksa pas më shumë se një orë pritjeje, organizatorët komunikuan se ndeshja nuk do të rifillojë më, ndërsa organet e disiplinës do të kenë sërish punë për të bërë në analizimin e këtij rasti.
Për këtë arsye klubi i Lyon ka marrë një vendim drastik teksa për të shmangur aktet e dhunës që janë bërë të shpeshta në futbollin francez, u ka ndaluar tifozëve të saj të udhëtojnë në ndeshjet në transfertë, pikërisht për të evituar të tjera episode dhune.
Që prej nisjes së sezonit, janë të paktën katër ndeshjet në futbollin francez, të cilat kanë regjistruar akte të paprecedentë dhune dhe janë ndërprerë për të mos rinisur më.